Top Channel u kujdes që të lante fytyrën e vet në lidhje me arrestimin e Liam Osmanajt brenda shtëpisë së Big Brother Vip.
Sonte Grida Duma kishte ftuar zv/drejtorin për Hetimin e Krimit të Organizuar, Artan Shatro i cili u shpreh se sistemi TIMS nuk mundi ta identifikonte gjatë hyrjes në Rinas, Liam Osmanin, për shkak të pasaportës së tij gjermane edhe pse ky shtetas ishte tashmë i shpallur në kërkim.
Shatro u kujdes të mos bënte me faj sistemin, por përsëri në përfundim doli se sistemi nuk e identifikoi si shtetas të shpallur në kërkim.
Gjatë transmetimit të sotëm, u shfaqën edhe pamjet e arrestimit të Liamit brenda shtëpisë së Big Brother.
Produksioni i Big Brother, i cili duhet të ishte në dijeni të dëshmisë së penalitetit përpara rekrutimit në shtëpi, duket se po e lan fytyrën me emisionin e sotëm.
Policia nga ana tjetër, e cila bëri edhe gafën më të madhe, priti që Liami të hynte në BBV që ta identifikonte që ishte i shpallur në kërkim dhe më pas ta arrestonte.
Le të imagjinojmë për një moment se sa vjedhës, vrasës, apo përdhunues mund të hasim në ditë, nëse Policia e Shtetit pret që ata të jenë kaq të famshëm për t’u ndjekur.