Rritja e sektorit të turizmit, në një tjetër rekord të ri këtë vit, po nxit importe të larta në artikuj që lidhen me industrinë.
Në tremujorin e parë të vitit, industria e turizmit është në kulmin e përgatitjeve për sezonin e verës. Zakonisht në këtë periudhë kryhen blerjet për furnizimet e strukturave hoteliere, të cilat po shënojnë rritje nga viti në vit.
Zhvillimi i turizmit po nxit edhe shërbimet e lundrimit me varka dhe anije të vogla, të cilat po bëhen të zakonshme në turizmin detar dhe liqenor. Të dhënat tregojnë se sasitë e importeve të varkave dhe mjeteve të lundrimit shënuan rritje me 79% në tremujorin e parë të vitit.
Gjithashtu importet e produkteve prej kashte shënuan rritje me mbi 45%. Rritje me mbi 15% pati edhe grupi “Mobileri, krevate, dyshekë, llampa etj”.
Të dhënat nga tregtia e jashtme tregojnë se, zhvillimi i turizmit është duke nxitur rritjen e importeve në produkte kryesore të konsumit në vend dhe sidomos tek ushqimet.
Në tremujorin e parë të vitit, importet e grupit të ushqimeve shënuan rritje me 22%, dhe në disa grupe si zarzavatet dhe frutat rritja ishte mbi 60%.
Ekspertët e sektorit analizojnë se, pjesa dërrmuese fitimeve të sektorit të turizmit ikën sërish jashtë vendit për importet e lëndës së parë që i duhen hoteleve dhe restoranteve. Nëse turizmi nuk lidhet me sektorë të tjerë të ekonomisë dhe sidomos me prodhimin, do të mungojnë përftimet me bazë të gjerë.